Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë jep një mesazh për infektimin me koronavirus të kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Teksa publikon mesazhin prekës të Janullatosit pak para se të largohej nga Tirana për t’u kuruar në Spitalin e Athinës, Kisha Ortodokse i uron atij shërim të shpejtë, teksa thekson në mesazh se “Ju duam dhe sepse Kisha ju ka nevojë”.
Mesazhi i plotë:
Lajm që preku zemrat e besimtarëve
Sikundër është e natyrshme, lajmi për infektimin nga Covid-19 i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, ka prekur zemrat e besimtarëve, të cilët i urojnë shërim sa më të shpejtë dhe luten për të. Gjithashtu, kjo tërhoqi vëmendjen e të gjitha mediave, që e pasqyruan si lajmin ashtu edhe fjalët e ndjera të Kryepiskopit.
Në lajme e komente është folur edhe për figurën e tij si hierark e shkencëtar dhe në veçanti duke theksuar veprën e jashtëzakonshme të ringritjes nga hiri i ateizmit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si kurora e gjithë jetës së Tij të gjatë në hierapostullim të popujve.
Kryepiskopi pak para largimit nga Tirana, për në Spitalin “Evangjelismos” të Athinës, tha midis të tjerash: “… Mendoj se të bëhesh pjesëmarrës, qoftë edhe në këtë mënyrë, në dhimbjen e përbashkët, është dhuratë Perëndie. Mos ta përballojmë gjithmonë si një gjë të vështirë. Janë disa simptoma të lehta. Dje vështirësia ishte më e madhe. Kam një farë dobësie me mushkëritë, prej shumë vitesh kam astma. Besoj se do ta kalojmë.
Dje ishte me ethe, por sot jemi mirë. Sot në drekë, besoj pasdite, do të jem tek “Evangjelismos”… është një spital i njohur për mua, sepse kemi përballuar edhe herë të tjera vështirësi dhe i kapërcyem. Dhe mos u ligështoni, mos u mërzisni. Do të kalojë. “Edhe nëse rrojmë, edhe nëse vdesim të Zotit jemi”. Përbëjnë një ngushëllim të madh këto fjalë për të gjithë ne.”
Kryepiskopi ka marrë shumë urime për shërim të shpejtë nga besimtarë dhe personalitete të vendit tonë, si dhe nga primatë, hierarkë të Kishave dhe personalitete nga jashtë, ku veçojmë mesazhin e menjëhershëm të Patriarkut Ekumenik:
Fortlumturi dhe vëlla fort i dashur,
Lutjet tona ju shoqërojnë gjatë fluturimit Tuaj… dhe gjatë kurimit Tuaj aty, për të cilin urojmë të jetë afatshkurtër dhe rezultativ: sepse ju duam dhe sepse Kisha ju ka nevojë.
Urojmë të vazhdoni për shumë vite akoma kontributin Tuaj krijues dhe mirëbërës për Krishterimin dhe për njerëzimin, për lavdi të Perëndisë. Fortlumturi, të shkuara!
Ju përqafojmë me përshëndetje të shenjtë, Vëllazërisht më Zotin, Patriarku Vartholome.