Kryeparlamentarja Elisa Spiropali priti sot në një takim Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Nataliya Kiselova.

Gjatë konferencës për shtyp pas takimi, Spiropali vlerësoi mbështetjen e fortë të Bullgarisë për integrimin europian të Shqipërisë.

Mbështetja e Asamblesë Kombëtare dhe personalisht e Kryetares Kiselova do të jetë një garanci më shumë për këtë qëllim. Ky objektiv yni shkon krah për krah me prioritetet e agjendës së Komisioneres së Zgjerimit Marta Kos, të prezantuara në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit Europian, AFET. Ne kemi besim në mbështetjen e Bullgarisë, edhe në mbledhjet e Këshillit të Bashkimit Europian, si një vend anëtar.

Shqipëria ka bërë thirrje për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në familjen europiane, i cili është i rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vetë Bashkimin Europian, nëse mbajmë parasysh pasojat dhe implikimet e luftës Rusi-Ukrainë në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin europian.

Të njëjtën dëshirojmë e urojmë edhe për integrimin europian të vendeve të tjera të rajonit tonë, destinacioni i natyrshëm i të cilëve është Bashkimi Europian. Anëtarësimi është një proces i mbështetur në meritën dhe ne mendojmë se mosmarrëveshjet dypalëshe duhet të zgjidhen duke u mbështetur në vlerat europiane dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë“, u shpreh kryeparlamentarja.

Me homologen Kiselova shprehëm vullnetin e përbashkët për të intensifikuar e zgjeruar bashkëpunimin parlamentar, nëpërmjet grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe deputetëve, vijoi Spiropali në deklaratën e saj.

“Shqipëria dhe Bullgaria kanë bashkëpunuar dhe do të vijojnë të bashkëpunojnë si anëtare aktive të NATO-s, në shërbim të paqes e sigurisë në rajon, Europë e më gjerë. Të dy vendet tona ndërveprojnë aktivisht në nismat rajonale si Iniciativa për Europën Qëndrore, Procesi i Bashkëpunimit i Europës Juglindore, Presidencën e të cilit Shqipëria e mban prej qershorit 2024, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi, Procesi i Berlinit etj. Ne vlerësojmë lart përpjekjet e Bullgarisë për fuqizimin e nismave rajonale dhe rritjen e ndikimit të tyre në perspektivën europiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Bullgaria është një partner ekonomik i Shqipërisë, por mendoj se ka ende potenciale për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike e tregtare”.

Plani i Përbashkët i Veprimit për Turizmin, nënshkruar në tetor 2024, mund të pasohet nga aspekte të tjera bashkëpunimi, si Korridori 8, një projekt me rëndësi strategjike për të dyja vendet, projekte të tjera të infrastrukturës, energjisë, konektivitetit, zhvillimit të qëndrueshëm, u shprehën Spiropali dhe Kiselova.