Një ditë më parë një turist belg ra nga Jet Ski në Durrës dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Një 51-vjeçar shqiptar u arrestua sot, pasi i dha me qira mjetin lundrues pa masat e sigurisë dhe pa lejen e duhur për drejtimin e tij. Policia njofton se i arrestuari, gjatë hetimeve, ka penguar zbardhjen e së vërtetës me informacionet e rreme që ka dhënë. Turisti ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa materiali procedurial është dërguar në prokurori për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin S. Xh., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, rezultoi se shtetasi S. Xh. i ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, pa masat e sigurisë të nevojshme, shtetasit belg H. K., i cili nuk është i pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Gjithashtu, shtetasi S. Xh., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, ka dhënë informacione të rreme për rastin.
Shtetasi H. K., që u dëmtua gjatë manovrave me mjetin lundrues, vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.