Kryebashkiaku socialist i Himarës, Vangjel Tavo ka theksuar sërish sot se nënkryetarët e institucionit që ai drejton janë të rinj në detyrë, të emëruar vetëm një muaj më parë, dhe nuk mund të shkarkohen pas ultimatumit të Edi Ramës.
“Administrata në përgjithësi sidomos në këto bashki turistike që kërkohet angazhim maksimal, nuk mund të flejë gjumë se njerëzit kanë pritshmëri të madhe dhe jemi të detyruar t’u ofrojmë njerëzve gjithë angazhimin tonë, punën tonë për të arritur pritshmëritë e komunitetit.
Nuk mund të flerë administrata. Duhen shkundur. Jam dakord me kryeministrin. Administrata do të ndryshojnë, për nënkryetarët kam vetëm një muaj që e kam emëruar. Do ta shikojmë. Kështu që çdo strukturë tjetër që kërkon rifreskim do të bëhet ndërhyrja nga ana e kryetarit të bashkisë”, u shpreh Tavo.
Duke folur në Report TV, ai ka shtuar se është dakord me ultimatumin e kryeministrit, pasi administratorët publikë nuk mund të qëndrojnë në bashki për 10-15 vite, por duhet të ndryshohen në varësi të performancës që kanë.
Vangjel Tavo ka treguar se ndërkohë që në gjithë vendin ka nisur aksioni kombëtar për lirimin e hapësirave publike, mbrëmjen e djeshme në qendër të Himarës janë vendosur dy kioska pa leje, të cilat sot kanë nisur të çmontohen.
“Tani jemi në sezon por ne vazhdimisht kemi kryer aksion për lirimin e hapësirave publike dhe vazhdojmë të kryejmë. Në qendër të Himarës janë vendosur dy kioska pa leje vetëm mbrëmë dhe sot në mëngjes ka nisur një aksion i policisë e të gjitha strukturave për çlirimin e hapësirave që janë zënë dje në darkë.
Është një fenomen i njohur ndër vite dhe është kryer gjithmonë ky aksion. S’mund t’i lejojmë me justifikimin se është sezoni turistik”, ka thënë Vangjel Tavo, kryebashkiaku socialist i Himarës.