Shtetasit e huaj të dënuar për vepra penale do të dëbohen nga Anglia dhe Uellsi menjëherë pas shpalljes së dënimit, sipas planeve të shpallura nga qeveria e Sir Keir Starmer, e cila kërkon të tregojë një qëndrim të fortë ndaj sigurisë kufitare.

Ky plan do t’i lejojë qeverisë të dëbojë një të burgosur sapo të ketë vuajtur 30% të dënimit, nga 50% sa është aktualisht.

Ky prag do të hiqet plotësisht tani, njoftoi Ministria e Brendshme të dielën, duke mundësuar që dëbimi të bëhet sa më shpejt pas përfundimit të vendimit për dënim. Ministrat thanë se kjo masë do të zvogëlojë mbipopullimin në burgje, do të ulë kostot dhe do të parandalojë përsëritjen e krimeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Politika kërkon miratimin e një ligji të ri në parlament në kohën e duhur, ku ligji i propozuar do të zbatohet si për të dënuarit aktualë, ashtu edhe për ata që do të dënohen në të ardhmen, tha qeveria.

Starmer ka kërkuar muajt e fundit të tregojë një qëndrim të ashpër ndaj emigracionit dhe krimeve të kryera nga të huajt, duke u përpjekur të shmangë kërcënimin elektoral nga partia populiste Reform UK e Nigel Farage.

Farage ka premtuar të dëbojë më shumë se 10 mijë kriminelë të huaj nëse partia e tij vjen në pushtet, si dhe të zgjerojë ndjeshëm kapacitetin e burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar duke ndërtuar ambiente të reja dhe duke marrë me qira hapësira në burgje jashtë vendit, në vende si El Salvador.

Masat e shpallura nga qeveria nuk do të zbatohen për të dënuarit me dënim të përjetshëm, përfshirë ata të dënuar për vrasje ose krime lidhur me terrorizmin, kështu që individët që konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare apo interesat britanike do të mbeten në Mbretërinë e Bashkuar.

Shtetasit e huaj përbëjnë rreth 12% të popullsisë së burgjeve në Angli dhe Uells, me shqiptarët që janë grupi më i madh i të huajve në burgjet britanike. Kostoja mesatare vjetore për një vend në burg është 54  paund, sipas shifrave zyrtare”, shkruan Financial Times.

Të dhënat e qeverisë tregojnë se që nga korriku 2024 janë dëbuar 5 mijë e 200 të burgosur të huaj, një rritje prej 14% krahasuar me 12 muajt e mëparshëm. Ministria e Drejtësisë ka shpenzuar gjithashtu 5 milion paund për të vendosur staf specialist në pothuajse 80 burgje me qëllim përshpejtimin e dëbimeve./tvklan.al