Oltjon Asllani dhe Serxho Bajza janë dy të rinjtë nga Kombinati që kanë rënë në prangat e Policisë. Ata janë përfshirë në konflikt me persona të tjerë dhe kanë dalë në rrugë me kallashnikov, duke qëlluar drejt makinës.  

Sapo ka marrë njoftim për ngjarjen, efektivët e Komisariatit nr.6 kanë reaguar menjëherë dhe kanë vënë në pranga dy persona, autorin e të shtënave dhe të riun që e shoqëronte me makinë deri në kryqëzimin ku ai hapi zjarr me breshëri plumbash.

Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 12:10, në Kombinat, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit R. K., 38 vjeç, dhe Zh. K., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në kuadër të operacionit “Quick Response”, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:

1. Oltjon Asllani (V)., 28 vjeç

2. Serxho Bajza, 30 vjeç, të dy banues në Kombinat

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 4 shtetasit e proceduar penalisht janë konfliktuar fizikisht me 2 autorët e ngjarjes.

Pas konfliktit, për motive të dobëta, shtetasi Oltjon Asllani (V). ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të 38-vjeçarit, ndërsa shtetasi Serxho Bajza drejtonte automjetin nga ku u hap zjarr. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.