Forcat e Armatosura shqiptare do të vishen me uniforma të prodhuara në Shqipëri, “Made in Albania”. Për këtë është krijuar kompania e re me emrin “Guna Tactical”, e cila do të merret me prodhimin e uniformave dhe pajisjeve për ushtrinë. Shoqëria aksionere është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 8 gusht dhe do të ketë vetëm një aksioner “MSSC”, që do mbajë 49% të aksioneve, ndërsa 51% e aksioneve do të jenë në pronësi të KAYO-s.
“Aksionarët Themelues: Aksionarët themelues zotërojnë aksionet si më poshtë: • “KAYO” Sh.A -1,785 aksione (51% të kapitalit); “MSSC” Sh.P.K -1,715 aksione (49% të kapitalit)” , thuhet në statutin e kompanisë.
Kjo shoqëri thuhet në dokumentet e regjistrimit në QKB që do të prodhojë të gjitha veshjet e Forcave të Armatosura dhe jo vetëm uniformat për ushtrinë shqiptare, por do të ketë të drejtë edhe t’i eksportojë ato jashtë vendit.
“Objekti i aktivitetit: Projektimi, prodhimi, përpunimi, magazinimin, paketimi, promovimi, shpërndarja, tregtimi dhe eksportin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe për strukturat e tjera të sigurisë dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë” , thuhet në dokumentet e regjistrimit të kompanisë në QKB.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e kaluar në emisionin “Opinion” në Tv Klan e paralajmëroi krijimin e kompanisë. Rama nënvizoi se do të prodhohen të gjitha llojet e uniformave për të gjitha llojet e trupave.
“Ne do të prodhojmë të gjitha llojet e uniformave për të gjitha llojet e trupave. Më në fund do t’i prodhojmë pa tendera. Kompani vetëm me shtet-privat. Kompania jonë ka një emër të bukur, quhet Guna”, tha Rama.