Prokuroria e Durrësit ka kërkuar burgim të përjetshëm për Hysen Metën, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, një nga ngjarjet më tronditëse një vit më parë në Shënvlash të Durrësit.
Sipas pretencës së paraqitur në seancën gjyqësore, Prokuroria e Durrësit kërkon shpalljen fajtor të Hysen Metës për veprën penale “vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e kryer në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Nga hetimet ka rezultuar se krimi është planifikuar dhe kryer nga Hysen Meta në bashkëpunim me motrën e tij, Hygerta Meta. Dy vëllezër e një motër, sipas Prokurorisë, kishin hartuar një plan për të vrarë babain e tyre, Pëllumb Meta, të cilin e ekzekutuan më 10 shkurt të 2024-ës në banesë.Sipas dosjes hetimore, Hysen Meta e ka qëlluar babain katër herë me armë zjarri, në prani të motrës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas, dy të pandehurit kanë tentuar të zhdukin gjurmët e krimit, duke groposur trupin në kasollen e bagëtive pranë shtëpisë dhe duke simuluar zhdukjen e viktimës.
Në seancën e fundit, Prokuroria ka kërkuar edhe dënime për pjesëtarët e tjerë të familjes që, sipas hetimeve, kanë bashkëpunuar në krim ose kanë fshehur të vërtetën.
PRETENCA E PROKURORISE SE DURRESIT:
Hysen Meta- burg përjetë
Hygerta Meta- 30 vite burg
Amarildo Meta 5 vite burg
Blerina Meta 3 vite burg
E vetmja që ka pranuar të dëshmojë gjatë gjykimit ka qenë Hygerta Meta, e cila ka deklaruar se vrasja është kryer nga vëllai i saj, Hyseni, në praninë e saj. Vendimi i trupit gjykues pritet të jepet në vijim.