Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-presidentin e Republikës, Ilir Metën duke i refuzuar kërkesën e tij për lehtësim të masës së sigurisë.

Kërkesa e Ilir Metës për lirim nga burgu u shqyrtua nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila në fillim të seancës ka kërkuar të tërhiqet nga kjo çështje, por kërkesa e saj është refuzuar nga kryetari i GJKKO, Erion Bani.

Ilir Meta nuk ka qenë i pranishëm në seancë.

SPAK ka përfunduar hetimet më 28 korrik, duke i bashkuar tre çështje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Në dosje, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, dhe shtetasit Pirro Xhixho e Ema Çoku akuzohen gjithashtu për pastrim parash dhe korrupsion. Konkretisht, Xhixho për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, në bashkëpunim.

Më 29 gusht, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, nën akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Seanca e parë paraprake është caktuar më 25 shtator, ku gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim, do të kthehet në SPAK për hetime të mëtejshme, apo do të pushohen hetimet.

Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u arrestua me urdhër të SPAK, më 21 tetor të 2024.