Pas disa sezonesh me ulje-ngritje në fushë dhe probleme gjyqësore e drejtuese jashtë saj, Juventus është gati të hapë një kapitull të ri.

John Elkann, aksionari kryesor i klubit përmes Exor, ka vendosur t’i japë një drejtim të ri shoqërisë bardhezi dhe sipas Corriere dello Sport është gati të rikompozojë organigramin me figura më të lidhura me botën e futbollit.

Ancelotti “thumbon” Bayern: Shkarkimi më i pakuptueshëm që kam patur në karrierë
Hapi i parë u bë që në fillim të verës, kur Cristiano Giuntoli u zëvendësua nga Damien Comolli. Ish-presidenti i Toulouse, i cili ka menaxhuar merkaton e verës, në nëntor do të bëhet zyrtarisht administrator i deleguar me fuqi të plota menaxheriale.

Ai do të zëvendësojë Maurizio Scanavino, i cili ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij: mund të rikthehet te grupi Gedi për çështjen e “Repubblica”, por nuk përjashtohet edhe një bashkëjetesë drejtuese me Comolli.

Këshilli i Administrimit pritet të kalojë nga 5 në 11 anëtarë dhe do të mirëpresë hyrjen zyrtare të Giorgio Chiellinit.

Ish-kapiteni bardhezi është gjithnjë e më i rëndësishëm në projektin e ri: përveçse do të përfaqësojë klubin në raportet institucionale, pritet të zgjidhet edhe këshilltar federal dhe shumë e shohin në të ardhmen si zëvendëspresident, në stilin e Pavel Nedved.

Revolucioni mund të prekë edhe presidencën. Gianluca Ferrero ende gëzon besimin e pronësisë, por Elkann po kërkon një figurë me peshë më të madhe ndërkombëtare.

VIDEO/ “Tërbohet” Alvarez, realizon “tripletë” ndaj Rayos, feston Atletico
Kandidatët më të fortë janë dy ish-legjenda: Alessandro Del Piero dhe Michel Platini. Megjithatë, nuk përjashtohet as opsioni për një profil më diplomatik, më pak i lidhur me fushën, siç ndodhi në të kaluarën me Jean Claude Blanc.

Objektivi final i këtij transformimi është i qartë: ta bëjë Juventus-in një shoqëri vetëqëndrueshme, pas 700 milionë eurove të investuara nga Exor gjatë 14 viteve të fundit. /R.Lika