Edoardo Sarchi është biznesmeni italian i vrarë në fshatin Salari të Tepelenës, pak pas mesnate. Newsbomb.al mëson ekskluzivisht se ai drejtonte fabrikën italo-shqiptare të tullave dhe tjegullave në Laprakë, “TEGOLA EDILCENTRO”.
Kjo kompani është themeluar në vitin 2003 në Tiranë (sipas të dhënave të deklaruara në QKB) dhe është një nga fabrikat më të fuqishme në Shqipëri për prodhimin dhe eksportimin e tullave dhe tjegullave të cilësisë së lartë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30 në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, mes fshatrave Nivicë dhe Salari. Shtetasi italian Edoardo Sarchi, 44 vjeç, ka qenë nën shoqërinë e personave të tjerë kur makina është qëlluar me breshëri plumbash nga persona të paidentifikuar.
Shoferi që ka qenë në drejtimin e mjetit ku udhëtonte italiani i vrarë dhe personat që e shoqëronin, ka thënë në dëshminë paraprake se ka rënë në atentat dhe menjëherë sapo 44 vjeçari është qëlluar me armë zjarri, ai ka shkelur gazin dhe është larguar.
Fabrika e Tullave “Edil Centro”, ne Tiranë
Newsbomb.al mëson gjithashtu, ekskluzivisht, se firma italo-shqiptare Edilcentro Ltd është themeluar në vitin 1996 nga shtetasi italian Augusto Nidoli si President, dhe shtetasi shqipar Vahid Ruli si Administrator. Gjatë viteve 1997-1998, u ngrit fabrika më e re dhe më moderne e prodhimit të tullave të llojeve të ndryshme.
Investimi u bë në një sipërfaqe prej 76.000 m2 në Laprakë. Fabrika e re është fryt i teknologjisë së përparuar italiane dhe ofron prodhime sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Në total, investimi në këtë fabrikë është llogaritur 12 milionë euro.
Në vitin 2003, pas suksesit të madh me tullat, është themeluar dhe kompania TEGOLAedilcentro Ltd. Dy muaj pas themelimit të saj, kompania filloi investimin e parë të këtij lloji në Shqipëri, prodhimin e tjegullave. Investimi bazohet në teknologjinë bashkëkohore evropiane.
Fabrika zë një sipërfaqe prej 5.400 m2, me 7 punonjës që punojnë me turne. Investimi arrin shumën prej 8.5 milionë eurosh.
Fabrika e Tullave “Edil Centro”, ne Tiranë
Në vitin 2004, Shqipëria importonte tjegulla nga jashtë, ndërsa sot, falë TEGOLAedilcentro, mund të bëjë eksporte me cilësi të lartë. Aktualisht TEGOLAedilcentro prodhon të gjitha llojet e pllakave si ato natyrale, me shkëlqim ose me ngjyra.
Pra, në total të dyja kompanitë që kanë të njëjtin pronar, zënë një sipërfaqe më shumë se 80.000 m2 në zonën e Laprakës dhe investimi është më shumë se 20 milionë euro ose 20 miliardë lekë, përcjelll newsbomb.al.
Sipas vendimit datë 30.06.2023, nga kompania TEGOLA EDILCENTRO është larguar administratori Antonio Nidoli dhe është emëruar administrator i ri shtetasi Edoardo Sarchi, i cili pas mesnate është vrarë me armë zjarri në fshatin Salari të Tepelenës.
© Newsbomb.al