Një situatë dramatike është shënuar në jug të Ukrainës, ku reshjet ekstreme të shiut kanë shkaktuar përmbytje masive në qytetin e Odesas dhe rrethinat e saj, duke lënë të vdekur nëntë persona, mes tyre edhe një fëmijë, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave.
“I gjithë qyteti është nën ujë”, dëgjohen të thonë banorët në videot e postuara në rrjetet sociale, teksa përshkruajnë përmasat e katastrofës. Rrugët janë të paralizuara, automjetet janë bërë të palëvizshme dhe shumë qytetarë kanë mbetur të bllokuar në banesa apo në rrugë.
Sipas autoriteteve vendore, përmbytjet kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike në zonat periferike të qytetit, duke prekur rreth 24,000 persona.
Meteorologët kanë paralajmëruar se reshjet pritet të tejkalojnë 80 mm, duke thyer të gjitha rekordet historike për këtë zonë. Reshjet e dendura kanë qenë të pandërprera për orë të tëra, duke bërë të pamundur rrjedhjen e ujërave dhe duke mbushur shpejt rrugët, bodrumet dhe katet e para të ndërtesave.
Ekipet e emergjencës janë dislokuar në të gjithë qytetin, duke punuar në kushte ekstreme për të ndihmuar banorët dhe për të menaxhuar situatën, raporton Reuters.
Autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë brenda dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme.
Edhe pse reshjet kanë filluar të bien me intensitet më të ulët në disa zona, situata mbetet kritike. Prurjet e ujit dhe tokat e tejngopura me ujë paraqesin rrezik për rrëshqitje dherash dhe shembje strukturash në disa pjesë të qytetit.
© SYRI.net