Elvis Shkambi nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese përpara hetuesve pas aktit të rëndë ku qëlloi me armë tip pistoletë, gjyqtarin Astrit Kalaja.
Ai ka deklaruar se nuk ka qenë një ngjarje e paramenduar, përkundrazi ka ardhur aty për aty në kushtet kuri I ndjeri Kalaja dha vendimin në favor të palës tjetër.
Edhe pse në brez kishte hyrë me pistoletë, Shkambi është shprehur se ka qenë në kushtet e tronditjes psiqike për shkak të zvarritjeve të gjyqeve prej viteve.
“Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Dëgjova që mori vendimin në favor të palës tjetër. Unë nuk e kam menduar përpara vrasjen, por aty m’u mbush mendja për ta vrarë kur dha vendimin kundër nesh”, mësohet të ketë deklaruar ai përpara hetuesve.
Kujtojmë që dita e djeshme ishte tronditëse për të gjithë Shqipërinë, teksa në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm u vra me armë zjarri, magjistrati Astrit Kalaja me një përvojë pune prej 3 dekadash. GJithashtu u plagosën edhe babë e bir që ishin pala tjetër në atë proces gjyqësor të orës 15:00.