Në përmbajtjet e disa platformave sociale në Afganistan janë aplikuar kufizime, thonë për BBC Afgan burime nga qeveria e talebanëve.
Filtrat janë vendosur për të kufizuar disa lloje përmbajtjesh në Facebook, Instagram dhe X, thanë burime nga Ministria e Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit.
Nuk është ende e qartë tipologjia e postimeve që i nënshtrohen filtrimit. Disa përdorues të rrjeteve sociale në Kabul thanë për median britanike se videot në llogaritë e tyre në Facebook nuk shihen më, ndërsa është kufizuar edhe hyrja në Instagram.
Kufizimet janë vendosur rreth një javë pasi shërbimet e internetit dhe telekomunikimit u ndërprenë për dy ditë në vend. Për këtë nuk ka pasur një sqarim zyrtar, por një zëdhënës për provincën Balkh tha muajin e shkuar se hyrja në internet po bllokohej “për parandalimin e veseve”.
Përdoruesit në disa provinca Afganistan kanë që të martën që raportojnë për hyrjen e kufizuar në platforma të ndryshme.
“Filtrimi është thuajse i aplikuar në të gjithë vendin dhe pjesa më e madhe e provincave janë të mbuluara tani”, tha një burim nga talebanët, por prej tyre nuk ka asnjë shpjegim zyrtar.
Një tjetër përdorues në provincën e Kandaharit tha se interneti me fibër optike është ndërprerë prej së enjtes, por rrjeti celular funksiononte, edhe pse Facebook e Instagram ishin “shumë të ngadaltë”.
Pas rimarrjes së pushtetit, talebanët kanë vendosur kufizime të shumta sipas interpretimit të tyre të ligjit të sheriatit. Gratë afgane kanë thënë për BBC se interneti ishte një lidhje me botën e jashtme që pasi talebanët ndaluan 12-vjeçaret që të arsimoheshin. Profesionet e grave janë kufizuar shumë dhe në shtator, librat e shkruar prej tyre u hoqën nga universitetet.