Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë kërkoi arrestimin e shtetasit Delo Meçani me profesion Avokat pranë Dhomës së Avokatisë.

Avokati akuzohet për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas njoftimit të prokurorisë, mbi bazën e kallëzimit me shkrim të shtetasit S.S dhe B.E. dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dhe provave të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova se avokati Meçani ka përvetësuar pasurinë e viktimave të veprës penale S.S dhe B. E, në vlerën 19.200.000 lekë (të reja) duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdoruar besimin e viktimave, me qëllim për të përfituar padrejtësisht vlerat monetare dhe duke konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi me pasoja të rënda dhe më shumë se një herë”.

Gjithashtu duke marrë në konsideratë lëvizjet e kryera në llogarinë bankare ku menjëherë pas kalimit të shumës së parave në llogari bankare nga përmbaruesi, personi nën hetim ka kaluar një pjesë te konsiderueshme të tyre (2.000.000 lekë) në llogarinë e shtetasit E.A me përshkrimin këst për blerje apartamenti ka të dhëna të mjaftueshme për të dyshuar se personi nën hetim ka konsumuar edhe elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 287 i K.Penal.

Sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë me datë 04.11.2025 i ështe drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” per shtetasin Delo Meçani.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë me vendimin nr. 561, datë 05.11.2025 ka caktuar masen e sigurimit “arrest ne shtepi” parashikuar nga neni 237 i K.Proc.Penale, mase e cila është ekzekutuar datë 06.11.2025.