Shkencëtarët australianë kanë zbuluar një specie të re vendase blete me brirë të vegjël dhe i kanë dhënë një emër që i përshtatet pamjes së saj “djallëzore”.

Studiuesit gjetën Megachile Lucifer ndërsa po vëzhgonin një lule të rrallë të egër që rritet vetëm në Bremer Ranges, në rajonin Goldfields të Australisë Perëndimore, rreth 470 km në lindje të Perth-it.

“Brirët shumë të veçantë dhe të dallueshëm” ndodhen vetëm te bleta femër dhe mund të shërbejnë si mekanizëm mbrojtës, për mbledhjen e polenit ose nektarit, apo për grumbullimin e materialeve si rrëshira për ndërtimin e folesë.

Shkencëtarja kryesore e studimit tha se u frymëzua për ta quajtur bletën Lucifer, pasi në atë kohë po shikonte serialin e Netflix me të njëjtin emër. Ajo shtoi se kjo është anëtarja e parë e re e këtij grupi bletësh pas 20 vitesh.

“Femra kishte këta brirë të vegjël mahnitës në fytyrë,” – tha Dr. Kit Prendergast nga Universiteti Curtin.
“Ndërsa po përgatisja përshkrimin shkencor të specieve të reja, po shikoja serialin Lucifer, dhe emri thjesht përshtatej në mënyrë të përkryer. Jam gjithashtu një fanse e madhe e personazhit Lucifer në Netflix, ndaj ishte një zgjedhje e natyrshme.”

Fjala Lucifer, që në latinisht do të thotë “sjellës drite”, sipas saj është gjithashtu një referencë për nevojën për të “hedhur dritë” mbi rëndësinë e ruajtjes së bletëve vendase dhe për të kuptuar më mirë si polenizohen bimët e rrezikuara.

Raporti, i botuar në Journal of Hymenoptera Research, bën thirrje që zona ku u gjetën kjo specie e re blete dhe lulet e rralla të shpallet zyrtarisht tokë e mbrojtur që nuk mund të shkatërrohet apo pastrohet.

“Pasi specia e re u zbulua në të njëjtën zonë të vogël me lulet e rrezikuara, të dyja mund të jenë në rrezik nga prishja e habitatit dhe nga faktorë të tjerë kërcënues si ndryshimet klimatike,” – shtoi ajo, duke theksuar se shumë kompani minerare nuk i përfshijnë bletët vendase në vlerësimet e ndikimit mjedisor të operacioneve të tyre.
“Kështu që mund të jemi duke humbur specie ende të paidentifikuara, përfshirë ato që luajnë role jetike në mbështetjen e bimëve dhe ekosistemeve të rrezikuara.
Pa e ditur cilat bletë vendase ekzistojnë dhe nga cilat bimë varen, rrezikojmë t’i humbim të dyja – përpara se të kuptojmë se kanë qenë aty.”/BBC