Pas atentatit të ndodhur të martën pasdite në Aeroportin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe i plagosur Mustafa Shaljani, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës kanë kryer një operacion të madh kërkimi në zonën e Fushë-Krujës,
Sipas burimeve, 5 grupe të FNSH kanë qëndruar nga ora 23:00 deri në orën 3:00 të mëngjesit në zonë, duke kryer kontrolle në lokale e banesa, si dhe duke ndaluar automjete të shumta për kontrolle. A2 CNN mëson gjithashtu se janë shoqëruar disa persona.
Ndërkohë, mësohet se Mustafa Sheqeri, i cili ishte punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, vijon të mbetet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës. Sheqeri, i cili ishte drejtues i automjetit tip “Mercedes Benz” me të cilin udhëtonte viktima Gilmando Dani, është i intubuar dhe ndodhet ne reanimacion.
Si u realizua atentati?
Gilmando Dani u ekzekutua në rrethrrotullimin para hyrjes së Aeroportit të Rinasit, pasi sapo ishte kthyer nga Barcelona. Mbi makinën ku ai po udhëtonte me mikun e tij Mustafa Shaljani (Sheqeri) u lëshuan një breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend Danin, i cili njihet si njeriu më i afërt i Emiljano Shullazit.






