Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicrës kërkesën për ekstradimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se gjyqtarja Irena Gjoka lexoi përgjigjet e zyrës së Interpol Tirana.

Ky fakt u bë me dije gjatë relatimit të fakteve në procesin në themel për dosjen “Buka”, ku u vendos të vijojë procesi në mungesë për ish numrin dy të qeverisë.

Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori deklaroi se: “ Për këtë dosje, z.Ahmetaj nuk ka asnjë masë sigurie. Masa është për efekt të një procedimi tjetër”.

Për dosjen “Buka”, Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre me dëm ekonomik 7 miliard lekë.

Prokurori i SPAK Elvin Gokaj lexon kërkesën për gjykim ku kërkon të pyeten si dëshmitarë 14 persona, ndër to edhe ish-ministri Shkëlqim Cani.

“Kemi rënë në kontakt me një shumë të madhe parash që janë transferuar nga Shqipëria në një vend të Bashkimit Europian që po verifikohet”-deklaron prokurori i SPAK.

“Prokurori po thotë që po na doli gjë nga kjo, do ngremë akuzë, nëse ka hetime të tjera për këtë çështje, prokurori nuk kishte ngutje të mbyllte hetimet, nuk mund të jetë proces i rregullt me akte surprizë, nëse ka prova të tjera prokurori t’i paraqesë”-u shpreh avokati.

“Këtë akuzë e kishim të detyruar ta njoftonin për shkak të afateve të parashkrimit, çështja është ndarë për shkak të akteve që kane ardhur nga Austria”-tha prokurori.