SHBA ka sinjalizuar një valë të re sanksionesh në Ballkanin Perëndimor, ku në fokus do të jenë edhe rrjetet financiare në Shqipëri.
Projektligji amerikan “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, që ka një afat 90-ditor, po shënon një ndryshim të qartë në qasjen amerikane ndaj korrupsionit në rajon: Nga ndëshkimi i individëve politikë drejt çmontimit të rrjeteve financiare që i mbajnë ata në këmbë.
Burime diplomatike dhe analistë e lexojnë këtë zhvillim si paralajmërim për një “valë të dytë” sanksionesh në Shqipëri. Në lupë janë biznesmenë, ndërmjetës, që lehtësojnë korrupsionin në Shqipëri, ku Uashingtoni synon të krijojë një hartë veprimi për SPAK-un, nga ngrirja e aseteve deri te arrestimet e nivelit të lartë.
Qëllimi i deklaruar është pastrimi i tregut nga deformimi i konkurrencës përpara zgjedhjeve të vitit 2027, duke goditur burimet e “parave gri” që shtrëmbërojnë ekonominë dhe proceset publike.
Sektorët kryesorë nën lupë
Rishikimi 90-ditor i Departamentit të Shtetit po përqendrohet te sektorët me risk të lartë për korrupsion dhe pastrim parash:
- Teknologjia dhe infrastruktura digjitale – kontraktorët e AKSHI-t dhe pretendimet për “taksë korrupsioni” në shërbimet digjitale shtetërore.
- Pasuri të paluajtshme dhe ndërtim – projekte luksoze bregdetare dhe kullat e larta në Tiranë.
- Energjia dhe shërbimet – mbikëqyrje e korporatave shtetërore (KESH, OST) dhe koncesioneve në energji të rinovueshme.
- Partneritete Publik-Privat (PPP) – auditim i kontratave në menaxhimin e mbetjeve dhe infrastrukturë.
- Bankat dhe financat -monitorim për shkëputje marrëdhëniesh me subjekte të sanksionuara si lehtësues në korrupsion.
- Turizmi strategjik – rishikim i projekteve të shpallura “strategjike” përmes favorizimit politik.






