Gjyqi për dosjen “Plumbi i Artë”, dështoi sërish në Gjykatën e Posaçme për shkak të mungesës së disa avokatëve. Në kushtet kur do duhej të niste dëshminë Henrik Hoxha, avokati i Gentian Sharres Sokol Hazizaj i paraqiti një kërkesë trupës gjykuese:

“Kërkojmë shoqërimin e detyrueshëm të bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, duke qenë se jemi në fazën e dhënies së deklarimeve nga ana e të pandehurit Henrik Hoxha. Në këtë mënyrë mund të bëhet ballafaqimi mes këtyre dy personave”.

Kundërshton SPAK: “Nuk jemi përballë kundrathënieve, në këto kushte kërkesa nuk qëndron. I kërkojmë gjykatës rrëzimin e saj”.

Kërkesa erdhi pasi Nuredin Dumani në seancat e fundit nuk ka marrë pjesë në procesin gjyqësor “Plumbi i Artë”.

Gazetari i Syri tv Fatjon Gjinaj njofton se, Gjykata e Posaçme vlerësoi se nuk ndodhemi përpara kushteve ligjore për të bërë shoqërimin e detyrueshëm të bashkëpunëtorit të drejtësisë, megjithatë tha se do shprehet më vonë lidhur me këtë kërkesë. Seanca shtyhet në datë 3 shkurt ora 10.00.