Aksi rrugor Maliq – Moglicë – Gramsh është bllokuar totalisht për shkak të qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë, rrugë kjo e papërshtatshme për lëvizjen e tyre.
Si pasojë, mjete të vogla që vinin nga kryeqyteti në drejtim të juglindjes, dhe anasjelltas, kanë mbetur të bllokuara për më shumë se dy orë, në një segment që shtrihet për rreth 6 kilometra.
Krijimi i radhëve të gjata është përkeqësuar edhe nga segmentet me një korsi në dalje të fshatit Lozhan.
Për këtë arsye, shumë shoferë që vijnë nga Greqia kanë zgjedhur të kalojnë përmes Korçës drejt Ersekës, Leskovikut, Përmetit, Tepelenës dhe Fierit, për t’u rikthyer më pas në kryeqytet. Të tjerë po përdorin Qafë Thana – Strugë – Dibër e Madhe, për të hyrë në Rrugën e Arbrit drejt Tiranës.
Në drejtim të Lozhanit dhe Moglicës janë nisur forca të shumta të sektorit të qarkullimit rrugor të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, si dhe forca të tjera të Policisë së Rendit, për të normalizuar qarkullimin.






