GJKKO ka shpallur vendimin për procedimin penal nr. 12/1 të vitit 2024 të Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj të pandehurve Klajdi Zhilla dhe Geraldo Fuçija, të akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim.
Sipas njoftimit zyrtar, çështja u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Flojera Davidhi dhe Bib Ndreca vendosi deklarimin fajtor të të dy të pandehurve.
Fillimisht, secili prej tyre u dënua me nga 3 vite burgim, por në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke u caktuar përfundimisht në 2 vite burgim.
Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e tyre në provë për një periudhë 2-vjeçare, me kusht që të mos kryejnë vepër tjetër penale dhe të mbajnë kontakte me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tyre.
Po ashtu, ndaj secilit u caktua dënimi plotësues “Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike” për një periudhë 5-vjeçare.
Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar më herët ndaj të pandehurve dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tyre nga paraburgimi, nëse nuk mbahen për shkak të një vendimi tjetër.
© BalkanWeb






