Një operacion i gjerë është zhvilluar në Vlorë me urdhër të SPAK, ku janë lëshuar 7 urdhër-arreste ndaj personave të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që vepronte në këtë qytet.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se gjatë operacionit është zbuluar aktiviteti i një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa është arritur edhe zbardhja e një vrasjeje të ndodhur më parë. Autoritetet kanë lëshuar urdhër-arrest edhe për Florjan Plakun, i cili ndodhet aktualisht në burg dhe masa i është komunikuar në qeli.

Plaku u arrestua në gusht të vitit të kaluar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e ish-policit Gentian Bejtja, ngjarje që ndodhi në zonën e Larushkës. Sipas burimeve hetimore, në telefonin e tij celular janë gjetur të dhëna shtesë që lidhen me porosi për vrasje dhe aktivitete të tjera kriminale.

Nga analiza e materialeve të sekuestruara dhe përgjimeve, hetuesit kanë identifikuar edhe persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në aktivitet kriminal në Vlorë.

Ardit Murataj