DVP Elbasan
Finalizohet operacioni i koduar “Targeti”, për kapjen e një shtetasi të dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal, për prodhim, shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike.
37-vjeçari i dënuar me mbi 9 vjet burgim, nga GjKKO-ja, u vu në pranga si rezultat i punës së mirorganizuar të shërbimeve operacionale të DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Shtetasi fshihej në një zonë të thellë në fshatin Pishkash, dhe sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet.
Si rezultat i mirorganizimit të veprimeve policore, nga shërbimet operacionale të DVP Elbasan, menjëherë pas sigurimit të informacionit për vendndodhjen e një pjesëtari të një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, u finalizua në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacioni i koduar “Targeti”.
Në kuadër të operacionit, u kap në një zonë të thellë në fshatin Pishkash, shtetasi Valmir Polisi, 37 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar këtë shtetas, me 9 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nga ky dënim, shtetasit Valmir Polisi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet, 7 muaj e 18 ditë burgim.
Shtetasi do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.






