Sot do të mbahet protesta e 31 kundër qeverisë, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, por edhe shqiptarëve të diasporës, që t’i bashkohen tubimit në Tiranë.
Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të nisë në orën 19:00 në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit do të qëndrojnë për të shprehur kërkesat e tyre.Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Gjithashtu nën sloganin “Ndryshimi fillon me ne, është koha të zgjohemi”, është paralajmëruar për sot një protestë para Parlamentit, që do të nisë në orën 10:00, në të njëjtën kohë me zhvillimin e seancës plenare.
Protesta u njoftua mbrëmjen e së hënës nga organizatorët e tubimeve të përnatshme, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Një ditë më parë të pranishëm në protestën në Tiranë ishin edhe pesë eurodeputetë, të cilët bënë thirrje që qeveria të dëgjojë qytetarët e saj. Ata shprehën qartazi mbështetjen për protestuesit.






