Debati për financimin e koncertit të Kanye West në Shqipëri ka kaluar edhe në mediat gjermane.
Gazeta Tagesspiegel ka publikuar një analizë kritike mbi vendimin e qeverisë shqiptare dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka mbrojtur organizimin e këtij aktiviteti duke e cilësuar si një mundësi për promovimin ndërkombëtar të vendit.
Në artikullin e firmosur nga gazetari Johann Voigt, ngrihet pyetja se çfarë do të ndodhte në Gjermani nëse kancelari Friedrich Merz dhe zyrtarët e kulturës do të promovonin për javë të tëra një koncert të një artisti po aq kontrovers.
“Imagjinoni sikur Merz dhe Komisioneri për Kulturën dhe Median Wolfram Weimer të bënin thirrje për javë të tëra për blerjen e biletave të një artisti si Kollegah”, shkruan gazeta gjermane, duke e krahasuar situatën me një figurë të debatueshme të skenës rap në Gjermani.
Sipas artikullit, për kryeministrin Rama koncerti i Kanye West nuk është thjesht një aktivitet muzikor, por pjesë e një strategjie për rritjen e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Megjithatë, gazeta ngre pikëpyetje për faktin se aktiviteti mbështetet me rreth 4 milionë euro fonde publike dhe zhvillohet në një kohë kur vendi po përballet me protesta kundër qeverisë.
Tagesspiegel shkruan se shitja e biletave për koncertin nuk ka ecur sipas pritshmërive, ndërsa stadiumi i përkohshëm “Eagle Stadium”, i ndërtuar posaçërisht për këtë event, ka hasur probleme për t’u përfunduar në kohë.
Sipas artikullit, pyetja kryesore është pse pikërisht një artist me këtë profil duhet të shërbejë si një nga imazhet promovuese të Shqipërisë si destinacion kulturor.
Në analizë përmendet edhe reagimi i Edi Ramës në rrjetet sociale, ku kryeministri ka folur për “shpifje, falsifikime dhe manipulime”, duke e mbrojtur vendimin për koncertin.
Gazeta gjermane e kritikon këtë qasje, duke argumentuar se debati për aktivitetin u kthye në një çështje politike pikërisht nga mënyra e komunikimit të kryeministrit.
Në fund, Tagesspiegel ngre pikëpyetje mbi përfundimin e infrastrukturës së koncertit dhe nëse Kanye West do të performojë sipas planit në skenën e përgatitur në Shqipëri.






