Policia e Korçës ka vënë në pranga tre persona, pasi u kapën duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm, njëri prej të cilëve drejtonte mjetin pa leje drejtimi.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Memëlisht, Pogradec, në mjetin tip “Nissan” me drejtues një 19-vjeçar dhe pasagjer një 17-vjeçar, ishin duke u transportuar 19 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1200 euro për person, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
“Shërbimet e Policisë kanë kapur në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Memëlisht, Pogradec, mjetin tip “Nissan” me drejtues shtetasin M. Zh. dhe pasagjer shtetasin S. O., duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1200 euro për person, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Nga hetimet e kryera dyshohet se edhe shtetasi M. B. 18-vjeç, ishte bashkëpunëtor me dy shtetasit e lartpërmendur në këtë veprimtari të paligjshme, pasi kryente mbikëqyrjen e rrugës me mjetin tip “Range Rover”, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi”, njofton policia.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.