Sedat Peker është njeriu i momentit në shtetin e Turqisë. Bosi i mafias turke i shpallaur prej disa ditësh në kërkim nga autoritet po publikon video që po marrin miliona shikime, ku përmes tyre demaskon korrupsionin e zyrtarëve të lartë turq dhe lidhjet e tyre me botën e krimit.
Kjo ka bërë që të dëmtojë edhe imazhin e qeverisë së presidentit, Recep Tayyip Erdogan, e cila tashmë është duke u përballur me krizën ekonomike dhe pandeminë e COVID-19.
Peker një kohë ka qenë i strehuar edhe në Kosovë dhe për këtë periudhë ka folur në videon e shtatë të publikuar ditë më parë.
“Nga Emiratet e Bashkuara Arabe kam shkuar në Kosovë pasi aty kam investime. Atje shumë njerëz më duan. Unë kam marrë edhe mirënjohje pasi në kohë lufte i kemi ndihmuar. Por e pash se atje kishte lëvizje dhe u largova menjëherë drejt Maqedonisë”, tha fillimisht Peker.
Ai më tutje pohon se autoritetet maqedonase e arrestuan dhe kërkuan që ta ekstradonin për në Turqi, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi u rikthye sërish në Kosovë.
“Por pasi i kërcënova atëherë më thanë ‘a do të pranoje që të kthehesh në Kosovë’, unë i thash po dhe më lanë në pikën kufitare Maqedoni-Kosovë, në ora 7 të mëngjesit. Asgjë nuk kisha me vete pos pasaportës pasi që nuk më lejuan të marrë ndonjë gjë me vete nga shtëpia në Shkup”, tha 49-vjeçari.
Peker tregon se tre ditë qëndroi në Kosovë dhe se ka marrë deportim pesë vjeçar në muajt e parë të vitit të kaluar pas intervenimit të shtetit turk.
“Në Kosovë, …. më ndihmoi shumë dhe për të gjithmonë lutem. I thash të më dërgojë në Shqipëri pasi që edhe në Kosovë do të ketë lëvizje në raport me mua. Kjo edhe ndodhi pasi që policia kosovare shkoi në vendin e punës së tij, pas intervenimit të zyrtarëve të Punëve të Brendshme të Turqisë. Më pas mua më dhanë deportim pesë vjeçar pas tre ditë qëndrimi në Kosovë. E njëjta gjë po më ndodh ku po shkoj tani. Ditën që kalova nga Kosova në Shqipëri, unë do të largohesha nga aty përmes aeroportit, por më arrestuan. Por, një zyrtar i lartë policor intervenoi dhe më lejojë që të largohem me aeroplan drejt Marokut”, shtoi ai.
Theksojmë se akuzat që Peker ka ngritur ndaj aleatëve të Erdoganit, duke përfshirë një ish-kryeministër, zyrtarë të lartë dhe të afërmit e tyre, ndryshojnë nga korrupsioni dhe trafiku i drogës te përdhunimet dhe atentatet.
Videot janë përqendruar shumë tek ministri aktual i brendshëm, Suleyman Soylu, për të cilin Peker pretendon se i kishte ofruar mbrojtje dhe më pas e informoi për akuzat e afërta, duke e lejuar të ikte jashtë vendit.