Nga Elvis Myrta

Elbasani, Vlora, Shkodra dhe Tirana, ishin 4 qytetet që do tronditeshin nga ngjarjet kriminale këtë muaji. Ngjarjet kriminale për muajin Maj do të nisnin në Elbasan, dhe do mbyllenin në Shkodër, dy nga qytetet më të kriminalizuara në këto vitet e fundit.

Gjatë muajit maj janë shënuar 7 vrasje, 4 prej të cilave kanë qenë atentate mafioze, ku vetëm njëri është zbardhur nga autoritetet. Mesditën e 6 majit krimi në familje do të trondiste qytetin e Elbasanit. Ish-polici Koço Buzo, do të ekekutonte me breshëri kallashikovi bashkëshorten e tij Liliana Buzo, vetëm 100m larg gjykatës së Elbasanit. Çifti, ishin prindër të tre fëmijëve dhe krimi i rëndë ndodhi në sy të një prej djemve të autorit dhe viktimës.

Pas Elbasanit, më 10 maj Vlora do tronditej nga një atentat mafioz në mes të ditës. Dy persona qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt automjetit BMË X5, me të cilën po udhëtonte Bledar Birçaj dhe dy persona të tjerë. Si pasojë mbeti i vdekur në vend 40-vjeçari, ndërsa mrekullisht plumbave i shpëtuan dy personat e tjerë. Mbrëmjen e po asaj dite u vra te zona e “5 Majit” në Tiranë Mehmet Qema.

I riu u vra nga shoku i tij Marius Dema, ku dëshmitarë të këtij krimi ishin edhe 5 persona të tjerë.  Vendi nuk do gjente qetësi, pasi një dit më pas atentatet mafioze do riktheshin sërish në Elbasan. Everest Çaka 41-vjeç u qëllua për vdekje në sy të gruas brenda në makinë, por pa mbushur një javë nga ky krim, një tjetër ngjarje e rëndë do trodiste kryeqendrën e veriut.

Në 17 Maj Endri Mustafa u gjet vdekur i qëlluar me plumb në gojë dhe në kokë në zonën e Livadheve. Për këtë ngjarje është arrestuar 15 vjeçari si dhe është shpallur në kërkim Ibrahim Lici.n E megjithëatë ngjarjet kriminale nuk do mbyllenin këtu, pasi më datë 21 Delon Troqe nga Vlora, do të ekzekutohej në ambjentet e biznesit të tij me breshëri kallashnikovi. Kur dukej se muajit po i  vinte fundi, sytë e opinionit publik do rikthehshin nga Shkodra, e cila për prodhimin e ngjarjeve kriminale për këtë muaj duket sikur është në garë me Elbasanin e Vlorën.

Emiljano Ndou 25 vjeç u ekzekutua me kallashikov nga fqinji i tij Mark Kodra, pas një konflikti me djalin e këtij të fundit. Edhe pse nga 2021 kanë kaluar vetëm 5 muaj, gjatë kësaj periudhe vendi është tronditur nga 25 vrasje, 9 viktima kanë ardhur si pasojë e krimit në familje, 10 persona janë ekzekutuar në atentate mafioze, ndërsa në 6 raste krimet janë kryer si pasojë e konflikteve të çastit./Faxweb.al