TIRANË

Policia e Tiranës ka arrestuar 19-vjeçarin Jehon Breçani, pas aksidentit të rëndë të shkaktuar pasditen e djeshme, ku përplasi me mjetin e tij tip “Benz” një 24-vjeçare.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se 24-vjeçarja Xh. G. ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa ka humbur njërën këmbë. Ndërkohë, i arrestuari Jehon Breçani është djali i ish-drejtorit të Policisë, Erzen Breçanit.

“Arrestohet J. B., 19 vjeç, pasi ditën e djeshme në rrugën “Xhanfize Keko”, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen Xh. G., 24 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Përplasja ka qenë e fortë, çka bëri që e reja të pësojë dëmtime të rënda në gjymtyrë. Ajo është dërguar menjëherë në spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, por gjendja e saj vazhdon të jetë e rënduar.

(BalkanWeb)