Christian Eriksen, i cili la pezull për minuta të tëra botën e futbollit mbrëmjen e djeshme, ka pak gjasa që të kthehet për të luajtur me ekipin e Interit në Itali. Kjo pasi federata italiane e futbollit prej disa vitesh synon që të ulë rastet e arresteve kardiake në radhët e sportisteve, duke i ndaluar ata të luajnë kur ka indicie për probleme me shëndetin.
Dr. Scott Murray, një kardiolog i njohur britanik, i specializuar në parandalimin e problemeve të zemrës, thotë se Italia krenohet me rekordin e saj të parandalimit të arresteve kardiake në futboll, kështu që problemet e lojtarit danez ka të ngjarë të parashikojnë fundin e kohës së tij në Serie A.
Ai i tha MailOnline: “Ndoshta është (fundi i karrierës së tij) për të. Italianët ndalojnë njerëzit që marrin pjesë në sport nëse zbulohet se kanë një anomali të konsiderueshme kardiake, është në ligj. Ata e kanë bërë për një kohë të gjatë, përtej 20 viteve dhe ata kanë ulur nivelet e vdekjeve nga arrestet kardiake në sport nga përtej 3 përqind në më pak se një përqind”.
Eriksen u shemb në tokë në ndeshjen që u luajt mes Danimarkës dhe Finlandës, dhe dyshohet se zemra e tij ndali për disa minuta. Ai u risoll në jetë nga mjekët që hynë menjëherë në fushën e lojës, ndërkohë që raportimet flasin se ai tashmë është në gjendje stabël.