Maturantët kanë dalë sot përpara ministrisë së Arsimit, në ditën e dytë të protestës, pasi e konsiderojnë të një niveli vështirësie të lartë testimin e matematikës.
Me thirrje kundër ministres Kushi, ata shprehen se kjo do ti penalizojë përgjatë zgjedhjes së degës në Universitet, dhe niveli ishte shumë i lartë në krahasim me kurrikulat që ata kanë ndjekur përgjatë tre viteve të gjimnazit, ku dy prej tyre janë ndikuar dhe nga pandemia, për shkak se mësimi në mënyrë të konsiderueshme është zhvilluar online.
Pas protestës përpara ministrisë ata janë drejtuar drejt qendrës së shërbimeve arsimore, që është përgjegjëse për hartimin e testeve, ndërsa kërkojnë që të bëhet rivlerësim i nivelit të testimit, dhe heqjes nga lista të disa pyetjeve, që sipas tyre janë të pakuptueshme dhe për nga niveli i përkthimit.
Dje dhe sot protestës i janë bashkuar prindër dhe mësues, të cilët thonë se testimi që shkoi keq ka ndikuar dhe në gjendjen emocionale të maturantëve, të cilët brenda disa ditësh do të duhet të japin dhe provimin e lëndëve me zgjedhje.