Ishulli i famshëm grek i Mykonos dhe shqiptarët rikthehen edhe njëherë në qendër të vëmendjes së mediave greke për kokainë. Mediat në Athinë raportojnë se dy shqiptarë janë arrestuar pas zbulimit dhe goditjes së një rrjeti, ndërsa drejtuesi është një i dënuar që komandonte grupin nga burgu i Korydallos.
Sipas mediave greke gjithçka nisi në portin Rafina në Athinë ku u lokalizua një vajzë flokëkuqe 19-vjeçe me sjelle të dyshimtë e cila i hipi tragetit për në Mykonos, ndërsa nga kontrolli iu gjet 207 gr kokainë.
Vajzën e ndoqën agjentët deri në hotelin ku kishte planifikuar të qëndronte. Pasi arriti ajo komunikoi me drejtuesin e grupit nga burgu që pseudonimin e kishte “doktori i kokainës”, i cili për t’u siguruar që ishte vetëm i kërkoi që telefonata të ishte me video.
Më pas i kërkoi që të zbriste poshtë hotelit për të dorëzuar “zonjën e bardhë”, vajza u bind dhe doli. Jashtë ishte një “Fiat” i bardhë me dy shqiptarë brenda që po e prisnin. Njëri prej tyre zbriti dhe iu afrua vajzës dhe sapo kokaina ndryshoi duar, agjentët e mbërthyen.
Por shqiptari tjetër që drejtonte makinën shtypi gazin, por në tentativë për t’u arratisur u bllokua.
Të dy u arrestuan dhe në njërin nga celularët e tyre u gjetën udhëzimet e udhëheqësit të madh me pseudonimin “doktori”. E ndërsa të arrestuarit kanë kyçur gojën, hetimet vazhdojnë për të zbuluar kush është “doktori i kokainës” që komandonte nga burgu famëkeq i Korydallos.
Faxweb.al