Këngëtari dhe kompozitori amerikan, Bob Dylan i ka shitur kompanisë Universal Music Group, të gjitha të drejtat e krijimtarisë së tij muzikore. Kjo marrëveshje përbën një nga blerjet më të mëdha në historinë e kompanisë Universal dhe nënkupton se kompanisë do t’i shkojnë të gjitha të hyrat nga këngët.
Aty përfshihen të hyrat që fiton Dylan si tekstshkrues dhe të drejtat mbi të gjitha këngët që ka krijuar deri tani. Dylan, 79-vjeçar, është i njohur në gjithë botën për këngët The Times They Are A-Changin’, dhe Like a Rolling Stone. Kompania Universal do të blejë rreth 600 këngë të tij, nga karriera e tij e shtrirë në gjashtë dekada.
Kushtet e kontratës nuk janë bërë publike, mirëpo besohet se është në vlerë të qindra miliona dollarëve. Këngëtari dhe kompozitori legjendar, me emrin e vërtetë Robert Zimmerman, është artisti më i fundit që bashkon forcat me Universal Music Group me bazë në Los Angeles, pas emrave të tjerë të mëdhenj si Bruce Springsteen, Billie Eilish, Kendrick Lamar dhe Post Malone.
Më herët, puna e tij administrohej nga rivalja e Universal, Sony/ATV, jashtë SHBA dhe nga ekipi i vetë Dylan në SHBA.