Pamjet e Christian Eriksen, duke rënë në tokë shokuan të gjithë botën, teksa futbollisti danez u rrëzua në fushë gjatë një ndeshje të kampionatit europian pasi pësoi arrest kardiak. Ndërhyrja e menjëhershme e futbollistëve në fushë dhe e mjekëve mundën që ta sjellin në jetë futbollistin pasi performuan ndihmën e shpejtë në mes të fushës së futbollit.
Gjendja e Eriksen është e mirë aktualisht, megjithatë mjekët i kanë komunikuar se duhet që të operohet. Mediat kanë raportuar se atij do t’i vendoset një defribilator që të mbrojë zemrën pas arrestit kardiak. Kjo do t’i shpëtojë jetën, por do t’i kushtojë karrierën. Në Itali, aty ku aktualisht ndodhet nën kontratë me Interin i ndalohet që të aktivizohet pasi nuk është e lejuar që një lojtar të luajë me një aparaturë të tillë në Serie A.
Por Eriksen nuk është i pari me probleme me zemrën që luan futboll. Në disa raste, fati ka qenë i mirë për futbollistët, në raste të tjera, ata falenderojnë Zotin që i la të jetojnë. Edhe të gjitha këto raste lidhen vetëm me një skuadër, Ajax-in. Mjafton të kujtoni rastin e Abdelhak Nouri. Ai u rrëzua në mes të një ndeshje miqësore, për të mos u përmendur më për rreth 32 muaj. Nouri, një nga futbollistët më premtues të Ajax-it, pësoi arrest kardiak në vitin 2017.
Para ndeshjes ai ishte ankuar për dhimbje në stomak dhe se nuk kishte fjetur mirë. Kushtet në Alpe, atje ku do të zhvillohej ndeshja ishin më të ngrohta se zakonisht, por Nouri futet në lojë në pjesën e dytë. Në minutën e 72, ai u rrëzua në fushë. “Arbitrit iu deshën 10 sekonda që ta shikonte se kishte rëndë. 10 të tjera kaluan që të arrinte fizioterapisti i Ajax dhe 15 sekonda për mjekun”, thuhej në një shkrim të BBC pak kohë më vonë.
Pas një trajtimi tre minutësh, lojtarët kuptuan se nuk bëhej fjalë për një dëmtim normal. Në fakt, kuptimi me vonesë i problemit mendohet se ka bërë që futbollisti të ketë dëmtim të përhershëm në tru. Ajax, pranoi pas një viti se trajtimi ndaj Nouri-t ka qenë i papërshtatshëm. Në Mars të vitit 2020, Nouri del nga koma, por me dëmtime të rënda në tru. Ai nuk do të luajë më futboll, ndërkohë që familjarët i gëzohen faktit që është gjallë.
Fati është treguar i mirë me një futbollist tjetër të Ajax-it. Daley Blind u diagnostikua me probleme me zemrën pasi pati marrje mendsh gjatë një ndeshje të Champions League në vitin 2019. Ai u diagnostikua me inflamacion të muskujve të zemrës. Kjo e detyroi që të kryente një operacion në zemër. Ati iu vendos një defribilator për të monitoruar ritmin e rrahjeve të zemrës. Të njëjtën gjë pritet të vendosë edhe Eriksen.
fax web