V.Rr., 30-vjeç, i është nënshtruar sot një operacioni në këmbën e majtë, pasi pretendon se zyrtarët policorë i kanë shkaktuar lëndim gjatë arrestimit, ditën e shtunë.
Për këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një ankesë dhe e njëjta është përcjellë për hetime të mëtutjeshme në Departamentin e Hetimeve.
“Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me këtë rast ka pranuar një ankesë. E njëjta është përcjellë për hetime të mëtutjeshme në Departamentin e Hetimeve. Veprimet tjera do të ndërmerren në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë Gazetës Express.
Sipas familjarit të V.Rr., rasti ka ndodhur pas një meçi boksi në sallën e sportit “Shani Nushi” në Gjakovë dhe qytetari i ka kërkuar policëve ta dërgojnë në spital, por sipas tij, policët kanë refuzuar duke i thënë se po gënjen.
Ndërkohë, rastin policia e ka hapur si “sulm ndaj personit zyrtar”. Sipas raportit të djeshëm të policisë, tre të dyshuar i kanë sulmuar fizikisht referat dhe zyrtarët policorë derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare, rreth vendimit të gjygjëtarëve gjatë një turniri të boksit.
Në raport nuk theksohet nëse ka persona të lënduar, ndërsa të dyshuarit janë liruar me procedurë të rregullt.
fax web