Entuziazmi i tifozëve gjermanë për kalimin e grupit në Euro 2020, pas fitores 4-2 ndaj Portugalisë, është trazuar paksa. “Yashoda”, elefanti orakull i Hamburgut, parashikoi një barazim të Gjermanisë me Hungarinë, në ndeshjen e fundit të grupit.
“Të jem i sinqertë, mbeta pa fjalë nga rezultati i sotëm. Nuk më shkonte mendja për barazim, por Yashoda mori të dy flamujt nga koshi dhe deri më tani ka pasur gjithmonë të drejtë. Por ta shohim”, thotë kujdestari i elefantit, Michael Schmidt. Ai e shpërbleu Yashodën me një ananas, pavarësisht parashikimit.
“Ky është një elefant i guximshëm që parashikon një barazim. Por mendoj se do ta fitojmë këtë ndeshje me rezultatin 3-1 ndaj Hungarisë”, thotë një vizitor, ndërsa një tjetër mendon se edhe me barazimin e parashikuar Gjermania mund të kualifikohet. “Por në fund Franca do ta fitojë kupën”, shton ai.
Gjermania ka marrë 3 pikë në dy ndeshje, po aq sa Portugalia dhe ka një pikë më pak se Franca kryesuese. Mund ta kalojnë grupin me një fitore kundër Hungarisë por edhe më një barazim, nëse Franca nuk mundet nga Portugalia. Orakulli 41-vjeçar ka lindur në xhunglën indiane. Yashoda peshon 3.8 tonë dhe konsumon rreth 150 kilogramë ushqim në ditë.
fax web