“Kemi dy javë pa u larë”
Megjithëse ishte premtimi kryesor i fushatës së Partisë Socialiste për mandatin e tretë “ujë 24 orë në ditë “ duket se jemi ende shumë larg mbajtjes së premtimit. Qytetarët në Elbasan po kalojnë ditë të vështira, ndaj dhe indinjatën e kanë të madhe.
Ndërsa pas kemi lënë një javë përveluese, banorët e lagjes “Skëndërbej” në Elbasan ankohen për mungesën e ujit të pijshëm. Ka nga ata banorë që theksojnë se kanë nga dy javë pa u larë. Edhe pse janë një lagje qyteti, ankohen se jetojnë në kushte ekstreme. Mes prolemeve që shqetësojnë komunitetin problemi kryesor është mungesa e ujit. Në këto ditë të nxehta mundohen të mbushin ujë larg, madje edhe ta blejnë te fqinjët që kanë hapur puse.
Thonë se janë taska-pagues të rregull të faturave, e pavarësisht këtij fakti uji vjen rrallë aq sa zor se mbushet një depozitë. Javën e fundit në çezmë nuk ka pikuar asnjë pikë ujë, ndaj sot kërkojnë ndihmë dhe llogari për pushtetarët.
Burime nga ndërmarrja e ujësjellës –kanalizimeve Elbasan bëjnë me dije se disponojnë një projekt për të investuar në rrjetin e ujësjellësit, por tregohen të kursyer në argumenta se përse uji mungon në lagjen “Skëndërbej”, në një kohë që burimet ujore nuk i mungojnë qytetit.