Stilisti shqiptar, Valdrin Sahiti, falë punës dhe talentit të tij ka arritur të jetë mjaft i njohur dhe për tregun ndërkombëtar.

Së fundmi, këngëtarja amerikane Yung Miami ia ka lënë në dorë atij paraqitjen e saj për eventin “Bet Awards”, i cili u mbajt mbrëmjen e djeshme. Artisja ka publikuar në “Instagram” disa foto ku shihet me fustanin e gjelbër që mban “vulën” e dizanjerit shqiptar.

Kjo nuk është hera e parë për dizanjerin pasi ai ka veshur edhe emra të njohura të skenës ndërkombëtare.

Për të folur për këtë, Valdrin Sahiti ka qenë para pak kohësh i ftuar në emisionin “NiN” në Klan Kosova.

Sahiti rrëfeu për rrugëtimin e tij drejt suksesit dhe si arriti që emrin e tij ta kthente në një brand. Pak javë më parë emri i tij bëri bujë pasi Beyonce zgjodhi të vishej me një nga krijimet e tij në mbrëmjen e ceremonisë së çmimeve Grammy.

Por si ra në kontakt Valdrini me Beyonce-n?

Stilisti tha në emision se as vetë ai nuk e dinte që diva e muzikës do të vishte fustanin e kuq!

Veshja e saj ishte një surprizë për stilistin, i cili tregoi edhe procesin e kontaktit me ekipin e këngëtares.

“Nuk e prisja që do të vishte saktësisht atë fustan, datën saktësisht, kjo ishte një surprizë e njëjtë sikurse për mua dhe krejt publikun”.

“Nuk dihet paraprakisht se çfarë do të veshë?”, e pyeti Alaudini.

“Jo. Nuk kemi një komunikim të afërt dhe miqësor me ekipin e saj që t’i dimë detajet. Thjesht shohim çfarë kemi të arsyeshme dhe potenciale në varësi edhe të buxhetit dhe pastaj ekipe të ndryshe zgjedhin gjëra të ndryshme”.

Pra ekipi i marketingut të Valdrinit duhet t’i ketë dërguar disa krijime Beyonce-s, e cila më pas zgjedh se cilin do të veshë.

“Ka disa ide që jo gjithnjë dalin mirë në trupa të ndryshëm për të cilat ne e bëjmë një farë verifikimi të cilësisë dhe ideve “, u shpreh stilisti shqiptar.

icon style