Nuk kanë fund emocionet në Kampionatin Europian që duhet pranuar është një festival i vërtetë golash. Në “National Arena” të Bukureshtit, Franca dhe Kroacia dhurojnë spektakël dhe gola pavarësisht se në fund skuadra që festoi ishte Zvicra që fitoi me penallti.
Helvetët të udhëhequr nga Xhaka e nisin mjaft mirë dhe kalojnë shpejt në avantazh, në 15’ me një gol me kokë të Seferoviç që vë në vështirësi të madhe Francën. “Gjelat” nuk reagojnë shpejt dhe janë të vakët në aksione dhe vetëm në pjesën e dytë ndryshojnë gjërat për ta por edhe i gjithë takimi.
Në 52’ vjen edhe episodi që mund të kishte ndryshuar fatin e ndeshjes kur Zvicra fiton një penallti dhe në 55’ Rodriguez e gabon edhe për meritë të Lloris që i nuhat krahun.
Franca menjëherë hidhet përpara dhe në 2 minuta përmbys Zvicrën me Benzema. Bomberi shënon në 57’ pas një aksioni të bukur me Mbappe. Nuk mjafton me kaq pasi në 59’, sërish Benzema kësaj radhe me kokë i jep avantazhin Francës në 2-1.
Zvicra e shokuar nuk reagon dhe lë hapësira pas ku në 75’ Paul Pogba përfiton për të shënuar një gol të jashtëzakonshëm nga jashtë zone.
3-1 dhe ende nuk kanë përfunduar emocionet teksa Zvicra rifutet në lojë pas një goli sërish të Seferoviç në 81’ që rrit moralin për skuadrën e Petkoviç. Kur dukej se po shkonte drejt fundit, Zvicra bën të jashtëzakonshmen dhe në 90’ Gavranoviç vulos në 3-3 rezultatin final të 90 minutave. Ashtu si ndeshja tjetër luhen 30 minuta shtesë por të dyja skuadrat janë të lodhura dhe bëjnë shumë gabime.
Janë disa raste edhe në dy pjesët e shtesës të cilat nuk konkretizohen si nga Mbappe ashtu edhe nga Gavranoviç dhe në fund janë penalltitë që vendosin.
Është ndeshja e parë e Europianit që vendoset nga lotaria e penalltive teksa në fund është Zvicra që fiton 5-4 dhe penalltinë e fundit e gabon Kylian Mbappe.