Lidhur me debatin që ka shkaktuar vendimi i Greqisë për t’u zgjeruar në 12 milje detare në detin jonë ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila shpreh shqetësimin e saj lidhur me heshtjen dhe mungesën e transparencës së qeverisë ndaj këtyre zhvillimeve.
Nëpërmjet një reagimi të shpërndarë për mediat, selia blu shtron 5 pyetje për përgjigje nga ana e qeverisë shqiptare, ku kërkon shpjegime në lidhje me elementët e negociuar me palën greke për këtë çështje.
“Partia Demokratike garanton çdo qytetar shqiptar se nesër në pushtet do të luftojë me forcën e ligjit, në respektim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ekspertizën më të mirë kombëtare e ndërkombëtare, për të mbrojtur interesat legjitime të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në reagimin e PD-së.