Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, shpreh mirënjohjen e tij ndaj Komisionit Europian, për miratimin e paketës prej 70 milion eurosh, që lehtëson aksesin e vaksinës antiCovid, për Ballkanin Perëndimor.
“Mirënjohës ndaj Komisionit Evropian, i cili nëpërmjet miratimit të paketës prej 70 milion € nën Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA II) lehtëson aksesin e shpejtë të rajonit tonë ndaj vaksinës anti COVID-19”.
“Ashtu siç theksoi dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, Bashkimi Evropian i ka kushtuar rajonit tonë një vëmendje të veçantë gjatë gjithë periudhës së pandemisë duke e përfshirë atë në iniciativa që i rezervoheshin shteteve anëtare. Falenderues për solidaritetin e treguar në luftë ndaj pandemisë globale”, thotë Balla në një postim në rrjetet sociale.
Komisioni Evropian miratoi grantin prej 70 milionë eurosh si ndihmë që vendet e Ballkanit Perëndimor të sigurojnë nisjen sa më shpejt të vaksinimit të popullsisë kundër Covid-19.
Lajmin e bëri të ditur këtë të hënë Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varheji, i cili e konsideroi fondin si shenjë se unioni i sheh si partnerë të privilegjuar vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria.