“Prej Nëntorit nuk jep autorizimin për fondin”
Kryeministri Edi Rama akuzon presidentin Ilir Meta se po mban peng projektin për infrastrukturën turistike të Vlorës që lidh Ujin e Ftohtë me Radhimën dhe Orikumin. Teksa inspektoi nisjen e punimeve rrugore, kreu i qeverisë tha se kreu i shtetit prej disa muajsh nuk ka dhënë plotfuqinë për disbursimin e fondit që është vënë në dispozicion nga fondi saudit.
Kreu i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, bëri të ditur se projekti parashikon një investim prej 11 milionë dollarësh dhe që shtrihet në një gjatësi prej 11 kilometrash.
Kreu i qeverisë inspektoi edhe punimet për ndërtimin e pjesës së dytë të Lungomares, i cili ofron 1 kilometër plazh urban dhe natyral, si dhe një pishinë olimpike për fëmijë.
Pjesë e inspektimeve të kreut të qeverisë ishte dhe jetësimi i paketës së re të investimeve në ujësjellës, me tre projekte të rëndësishme të financuara nga qeveria shqiptare, të cilat do të pasohen nga projekti përmbyllës i furnizimit me ujë 24 orë të Vlorës.
Një tjetër projekt që ka nisur të zhvillohet dhe që për kreun e qeverisë ka një rëndësi të veçantë është ai për transformimin e Sheshit të Flamurit.
Projekti parashikon kthimin e sheshit në një hapësirë të integruar me parqet dhe me varrezat e Dëshmorëve.