Tashmë Anglia është në finalen e Europianit dhe gjithçka ka përfunduar, por ajo që do mbahet mend gjatë është edhe penalltia e dyshimtë që u dha për Sterling, pasi u rrëzua pranë portës së Danimarkës.

Për tifozët e Danimarkës dhe shumicën e personave neutralë, nuk kishte asnjë kontakt, ose ishte aq minimal sa nuk justifikonte rënien e Sterling. Të shumtë janë tifozët që thonë se dhënia e penalltisë nga gjyqtari holandez, Danny Makkelie, ishte e pajustifikuar.

Ndaj një tifoz ka organizuar një peticion online në change.org, ndërsa kërkon që ndeshja të riluhet.

“Duhet të ketë kontakt për një penallti dhe nuk kishte absolutisht asnjë kontakt. Nëse kjo nuk merret parasysh, kjo do të tregonte një dështim të UEFA-së dhe lojën e bukur të futbollit”, shkruante në peticion.

Sigurisht, nuk ka asnjë shans që UEFA të përsërisë ndeshjen, por, ky peticion është ndoshta një matës i mirë se ku njerëzit qëndrojnë mbi vendimin. Referuar DailyMail, për momentin peticioni ka marrë më shumë se 3 mijë nënshkrime.

Një peticion i ngjashëm, ku kërkohej të riluhej Francë-Zvicër, arriti mbi 270 mijë nënshkrime.

fax