Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes së rëndë të regjistruar mesditën e sotme në aksin Gramsh – Kushov, në fshatin Bregas, ku një minibus ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në përrua.
Sipas njoftimit të bluve, nga ky aksident ka ndërruar jetë një 30-vjeçar, i identifikuar si Ledian Lami, banues në fshatin Terrove, Skrapar, ndërsa konfirmohen po ashtu edhe 9 pasagjerë të tjerë të lënduar, të gjithë jashtë rrezikut për jetën për momentin, ndërsa ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për të hetuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.
Njoftimi i plotë i policisë:
Gramsh/ Informacion paraprak
Më datë 10.07.2021, rreth orës 14:15, në aksin rrugor Grmash-Kushov, në fshatin Bregas, mjeti minibus me drejtues shtetasin A.Xh., banues në Gramsh, ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë një pasagjerë, shtetasi Ledian Lami, rreth 30 vjeç, banues në fshatin Terrove, Skrapar, si dhe janë plagosur 9 pasagjerë të tjerë, jashtë rrezikut për jetën për momentin, të cilët janë nxjerrë nga shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit nga vendi ku u përmbys minibusi dhe po transportohen me autoambulanca për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje ndodhet dhe grupi hetimor dhe vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.