Komisioni i Venecias do të shqyrtojë në datën 14 Tetor çështjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2019 në Shqipëri, për të cilat u kërkua opinion nga Gjykata Kushtetuese.

Çështja e zgjedhjeve lokale ishte objekt disa javë më parë i Gjykatës Kushtetuese, e cila iu drejtua për opinion Komisionit të Venecias, e duket se pas mesit të Tetorit mund të kemi një vendim për një nga kauzat më të nxehta të Gjykatës më të rëndësishme në vendin tonë.

“Më 9 korrik 2021 Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë kërkoi një opinion “amicus curiae” për të adresuar në veçanti juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor dhe ndërlidhjen e parimeve themelore kushtetuese të periodicitetit të zgjedhjeve lokale dhe pluralizmit politik, në marrëdhënie me zgjedhjet lokale të vitit 2019. Kjo çështje do të trajtohet në seancën e 129 të Gjykatës (përkon me datat 14-16 Tetor”, njofton Komisioni i Venecias.

Ishte Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, e cila drejtohet nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ajo që paditi në Kushtetuese zgjedhjet lokale të 30 Qershorit të 2019-tës, të cilat u zhvilluan pa praninë e opozitës, që kishte djegur edhe mandatet parlamentare.

(E.K/Faxweb.al)