Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, i quajti Iker Casillas dhe Raul Gonzalez “mashtrimet më të mëdha” në historinë e klubit, në një regjistrim audio të vitit 2006, por që u publikua sot nga “El Confidencial”. Perez, i cili u kthye si president i Real Madridit më 2009, po fliste kështu pasi la drejtimin për herë të parë, një vendim që ai thotë në audion e rrjedhur në media se ishte pjesërisht për shkak të Raul.

Casillas dhe Raul u larguan nga klubi gjatë mandatit të dytë të Perez, por që prej asaj kohe janë kthyer te “Los Blancos”, pas pensionimit si futbollistë. Casillas punon për fondacionin “Real Madridi”, ndërsa Raul është trajneri i ekipit B, Castilla.

“Ai nuk është mjaft i mirë për të qenë portier i Real Madridit, çfarë dëshiron të them…, – dëgjohet Perez për Casillas në audio. – Ai nuk është dhe kurrë nuk ka qenë për këtë rol. Është gabimi më i madh që kemi bërë. Ajo që ka ndodhur është se njerëzit e adhurojnë atë, duan të flasin me të… Unë nuk e di. Ata e mbrojnë atë aq shumë. Po, mirë, ai është një prej mashtrimeve të mëdha të Real Madridit. I dyti është Raul. Dy mashtrimet më të mëdha në Madrid janë: së pari Raul dhe së dyti Casillas.

Zinedine Zidane është një djalë i shkëlqyeshëm. Edhe David Beckham e Ronaldo… Pastaj janë të tjerët që mendojnë se… Raul është një person i keq. Ai mendon se Real Madridi është i tij dhe përdor gjithçka për përfitimet e tij. Ai dhe agjenti i tij janë fajtorë që Real Madridi nuk bën mirë.

Shikoni, unë u largova, midis arsyeve të tjera për shkak të tij. Sepse tani që e sheh se koha e tij po mbaron, ai thotë: Para se të largohem, të fitoj gjithçka nga Real Madridi. Ai është një djalë negativ, po shkatërron Realin dhe moralin e lojtarëve në mënyrë që njerëzit të thonë: Kjo është për shkak se klubi është i keq, jo Raul. E tmerrshme sa i keq është ky djalë”.

Raul u largua nga Real Madridi më 2010, pas 18 vitesh në klub, duke vazhduar të luante për Schalke, Al Sadd dhe New York Cosmos, para se të kthehej si trajner më 2018. Ai mori ekipin rezervë të klubit vitin e ardhshëm. Me 323 gola, Raul ishte shënuesi më i mirë i Real Madridit në të gjitha kohërat, kur u largua, megjithëse që atëherë është tejkaluar nga Cristiano Ronaldo, i cili shënoi 450 gola në 11 vite në “Bernabeu”.

Casillas, ish-portieri, u bashkua me akademinë e klubit të bardhë më 1990 dhe u largua 25 vite më vonë, duke u bashkuar me ekipin portugez të Portos më 2015, para se të “pensionohej” në vitin 2020, pas problemeve të zemrës.

fax