Edhe një këngë, e njohur botërisht si himn i luftës për liri, mund të bëhet objekt polemikash. Protagonist, për fatin e tij të keq, Elseid Hysaj, lojtari më i ri i Lazios, i cili u vu sërish nën urdhrat e Sarrit pas një përvojë të suksesshme 6-vjeçare te Napoli.
Sapo mbërriti në grumbullimin e skuadrës, si çdo lojtar i ri, mbrojtësit shqiptar iu desh të respektonte zakonin e të sapombërriturit, duke kënduar një këngë para shokëve të tij të skuadrës. Ai zgjodhi hitin ndërkombëtar Bella Ciao.
Nëse ishte një nderim për “Casa de Papel”, serialin e njohur spanjoll, apo ishte vetëm dëshira e tij e ligjshme për të kënduar himnin partizan të njohur të gjithë në të gjithë botën, pak rëndësi ka, fakti është se provokoi zemërimin e ultrasve të djathtë të Lazios (fashistë), të cilët kërkuan shpjegime fillimisht duke u paraqitur në lokalin ku ndodhej ekipi dhe pastaj në hotelin ku qëndron në këtë grumbullim në Auronzo di Cadore.
Pas ndërmjetësimeve të nevojshme, edhe të drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tare, çështja u mbyll. Videot e Hysajt duke kënduar Bella Ciao u zhdukën nga rrjetet sociale nga vetë lojtari sikur të kishte bërë një krim.
expres