Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar këtë të diel hyrjen e variantit të rrezikshëm Delta të Covid-19 në Shqipëri, pas analizave të kryera në një laborator në Berlin.

Ministria e Shëndetësisë thotë se rritja e numrit të rasteve të reja ditore përkon me hyrjen e këtij varianti të rrezikshëm dhe më ngjitës.

Prej ditësh ekspertët kishin ngritur shqetësimin se ky variant kishte hyre dhe ne vendin tonë për shkak të rritjes së numrit të rasteve ditore, por edhe nga hyrja në Shqipëri e emigrantëve apo turistëve nga vende të prekura nga ky virus si Anglia, Italia, etj.

Prandaj dhe apelohet ndaj qytetarëve që të bëjnë vaksinën anti-Covid sa më shpejt, në mënyrë që të jenë më të mbrojtur ndaj koronavirusit.

Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.

Aktualisht në Shqipëri janë kryer 1,134,085 vaksinime, nga të cilat, 496,714 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës anticovid.

Njoftimi:

MSHMS konfirmon prezencën e variantit Delta dhe apelon qytetarët: Vaksinohuni

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se,
në vijim të procesit të monitorimit të situatës së Pandemisë COVID-19 nga Instituti i Shëndetit Publik, pjesë e së cilës është dhe monitorimi për variantet qarkulluese, nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë – Charite në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta B.1.617.2.

Konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, i dyshuar nga sinjalet laboratorike dhe tashmë i konfirmuar nga Laboratori i Referencës në Berlin, përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë.

MSHMS apelon qytetarët të vaksinohen në qendrën më të afërt të vaksinimit, në qendër shëndetësore, qendrat e vaksinimit masiv apo me njësitë lëvizëse.
Vaksinimi, shpëton jetë! Vaksinat veprojnë, ato reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.

Ministria e Shëndetësisë i drejtohet të gjithë qytetarëve të zbatojnë rigorozisht masat parandaluese:
Vetëkarantinimin paraprak në rastet kur keni shenja të virusit Covid19 apo nëse keni patur kontakte me persona të konfirmuar me këtë virus.

Ftojmë qytetarët të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes për çdo dyshim dhe të zbatojnë udhezimet e mjekut për protokollin e ndjekjes dhe trajtimit. Për çdo emergjencë shëndetësore kontaktoni në numrin unik 127 me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Edhe një herë, Ministria e Shëndetësisë apelon për vaksinim masiv, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm. Aktualisht në Shqipëri janë kryer 1,134,085 vaksinime, nga të cilat, 496,714 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës anticovid. Edhe sot vijon vaksinimi i hapur për çdo qytetar +18 vjeç në qendrat e vaksinimit kudo nëvend, deri në orën 8 të mbrëmjes.