Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, deputet i zgjedhur i PS, përsëriti edhe njëherë akuzat se  bota e krimit ka shtrirë duart në financat publike në Fier.

Duke folur pas marrjes në pyetje nga SPAK, Koçi nuk dha emra por tha se ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe i janë përkulur presionit të krimit.

Koçi: Bota e krimit në Fier ka pasur lidhje të konsoliduara me politikën. Mund tu them dhe rastet e fundit të tillë në marrëdhënie me LSI edhe ndikuan në rezultate zgjedhore në zgjedhjet e fundit.Për rastet që kam denoncuar konkretisht i ripërmenda. Kam vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me drejtësinë. Qëndrimet e mia nuk janë për të larë hesapet me asnjë politikan, ne duhet të lajmë hesapet me botën e krimit dhe nuk duhet të lejojmë të jenë influent në jetën publike dhe në vendnimmarrjet zyrtare.

Ajo që kam thënë se ata ndikojnë në financat publike ose përmes lidhjeve të drejtëpërdrejta ose duke kërcënuar zyrtarë të niveleve të ndryshme është e vërtetë. Ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe i janë përkulur presionit të krimit.

Media pas deklarimeve të mia ka bërë shumë akuza dhe referime konkrete. Për çdo gjë konkrete kam kurajon të bëj kallëzim penal. Unë do të jem vazhdimisht një politikan që do të luftoj që bota e politikës të jetë sa më e pastër. Kam bërë kallëzime penale dhe për pjesë të administratës që kanë qenë pjesë e PS dhe më përpara.

Për mediat ai nuk preferoi të bëjë publikë emra konkretë por as nuk e qartësoi nëse këtë informacion ua ka dhënë prokurorëve që e morën në pyetje.

Koçi: Duhet të inkurajojmë zyrtarët që të mos i përthyhen botës së krimit. Ky qëndrim do të jetë insistent te unë.Po nxis veprimtarinë e organeve ligjzbatuese.Edhe në Fier SPAK është i lirë dhe i detyruar me ligj të veprojë ndaj kujdo që ka shkelur ligjin, ka abuzuar me financat publike dhe bashkëpunon me botën e krimit. Nuk jam as prokuror, as gjyqtar, nuk  jam në policinë e shtetit. Dhe të gjitha këto që fola jam i bindur që janë të vërteta. Fakti që njerëzit e kësaj bote hyjnë më kollaj në punë se njerëzit e thjeshtë tregojnë se janë influent mbi zyrat.

ora tv